Popullatë e shëndoshë, në një mjedis të shëndoshë, në shtet të shëndoshë

Në këtë vizion ngërthehen të gjitha aktivitetet që participojnë për kompletimin e këtij misioni të shenjtë, duke përfshirë në radhë të parë: parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, parandalimin e epidemive dhe pandemive, mbrotja e popullatës nga rreziqet mjedisore, parandalimi i lëndimeve (në punë, në komunikacion, gjithkund), promovimi dhe nxitja e sjelljeve të shëndosha, përgjigja efikase ndaj katastrofave natyrore, sigurimi i kualitetit dhe qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore. Vizioni ynë është në përputhje të plotë me dokumentin e Ministrisë së Shëndetësisë: “Strategjia e zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, 2005-2015” si dhe në objektivat e OBSH-së “Shëndeti 21”.
Instituti Kombëtar është një qendër kulmore në shkallë vendi i cili hulumtimin aktiv për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet e fillon në mënyrë aktive me mbikqyrjen e sëmundjeve e njohur si “Gjurmimi”i sëmundjeve. Kjo strategji na mundëson jo vetëm identifikimin e sulmeve eventuale bioterrorriste, por është kruciale në zgjidhjen e misterieve karshi sëmundjeve ngjitëse dhe jo ngjitëse kronike. “Gjurmimi” i sëmundjeve është një nga armët më vitale të shëndetësisë publike në luftimin e sëmundjeve, në parandalimin dhe kontrollin e tyre. Kështu, dallimi themelor i fushëveprimit të kliniçistëve dhe specialistëve të shëndetësisë publike konsiston në faktin se ne merremi me tri “aktet e dramës” së ecurisë së sëmundjeve qofshin ngjitëse ashtu edhe atyre jo ngjitëse, përkundër kliniçistëve të cilët merren vetem me “aktin e tretë” të dramës, atëherë kur janë paraqitur shenjat klinike dhe kur personat e sëmurë i drejtohen për ndihmë institucioneve shëndetësore. Kjo qasje themelore e shëndetësisë publike ka shumë përparësi, por po theksoj vetëm dy: parandalimi i patologjive të ndryshme ku si përfitim ka ruajtjen e jetëve të njerëzve dhe zvoglimin e pasojave eventuale dhe invaliditetit dhe e dyta por që konsiderohet njësoj e rendësishme, kjo metodë e punës kushton shumëfish më lire se kurimi i sëmundjeve.



Si perceptohet shëndetësia publike nga profesionistët tjerë shëndetësorë?

Shëndetësia publike është lëmi gjithëpërfshirëse e cila në vete ngërthen pothuaj tërë sistemin shëndetësor modern. Gjithmonë ka ekzistuar mendimi i gabuar se shëndetësia publike më parë në Kosovë e përkufizuar vetëm në mjekësinë preventive e nga shumë e keqë interpretuar si disiplinë e „entit higjienik ku bëhet stërpikja dhe mbytja e insekteve, mbytja e minjve, kontrolli i librezave sanitare, dezinfektimi i qebaptoreve“,...etj. Rrallëkush nga profesionistët shëndetësor klinik ka menduar se mund t’i shfrytëzojë metodat e shëndetësisë publike në zgjidhjen e problemeve të shumta që i dalin përpara në ushtrimin e suksesshëm të profesionit të tyre në klinikë. Gjatë punës së përditshme, mjekut kliniçist i lindin pyetje të tilla si: Sa është probabiliteti që një klient me ndryshime elektrokardiografike minimale të zhvillojë infarkt të miokardit gjatë vitit të ardhshëm? Nëse do të testohet një trajtim i ri terapeutik, sa duhet të jetë numri minimal i subjekteve në studim? Cila është mënyra më e mirë për të hetuar një hipotezë klinike? Cila është metoda më e mirë për të vënë një diagnozë klinike: Intuita apo Epidemiologjia? Si mund të përcaktohen prioritetet shëndetësore të komunitetit ku unë bëj pjesë? Si mund të bëhet vlerësimi i efektivitetit të një programi imunizues? Si mund të kryhet një studim kohort në popullatë? Si mund të ndërhyhet në rritjen e këshillimoreve për nënën dhe fëmijën? Si mund të vlerësohet incidenca e gastroenteritit akut në Prishtinë? Sa është probabiliteti i sëmundshmërisë nga Gripi i Shpendëve në Kosovë, etj. Duke njohur prevalencën e një patologjie në popullatën tonë si dhe senzibilitetin dhe specificitetin e një testi diagnostik të aplikuar, është e mundshme të përcaktohet probabiliteti se një rast pozitiv efektivisht është i sëmurë dhe një rast negativ është realisht i shëndoshë.  Falë punës mbinjerëzore të stafit të shëndetësisë publike në Kosovë sot nuk ka: Variola Vera, Malarie, Kala-Azar, Tifo të morrit, Morbus Brill-Zinsser, Lepra, Difteria, Tetanos Neonatal, Morbilli autokton dhe jemi në rrugë të mirë të eliminojmë sëmundjet tjera vaksinë-preventabile e ajo që është për mburrje padyshim eliminimi i paralizës së fëmijëve.



Objektivat gjatë vitit 2015

Objektivi parësor i Shëndetësisë publike është të parandalojë sëmundjet përmes intervenimit në procesin patologjik duke identifikuar të gjithë faktorët e riskut që ndikojnë në rrënimin e shëndetit. Edhepse është ndërthurë në një fjali fushëveprimi është mjaftë i gjërë dhe nuk i përket vetëm shëndetësisë por edhe të gjitha lëmive tjera jo shëndetësore që ndikojnë drejtëpërsëdrejti në shëndetin e njeriut (ajri, uji, ushqimi, banimi, infrastruktura, kushtet e punës, standardi i jetesës, etj.) Ne do të vazhdojmë të mbështesim programin për ruajtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës, programin e imunizimit, mbikëqyrja dhe kontrolli e sëmundjeve ngjitëse dhe jo ngjitëse, hulumtimet laboratorike, mikrobiologjike dhe kimike të ujit të pijes, analiza e ushqimit dhe mostrave të mjedisit, ofrimi i shërbimeve të mikrobiologjisë klinike për të mbështetur institucionet shëndetësore në programet e veta të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, përforcimin e sistemit të informimit shëndetësor duke siguruar statistikat e nevojshme për planifikimin e shërbimeve shëndetësore dhe zhvillimin e politikës së mbrojtjes shëndetësore; ofrimi i këshillave profesionale-shkencore për zhvillimin e planeve dhe politikës shëndetësore, promovimi dhe edukimi shëndetësor, ofrimi i  këshillave profesionalo-shkencore për çështjet e ambientit të shëndoshë, zbatimi i legjislacionit të shëndetësisë dhe ambientit, mbështetja profesionalo-shkencore për zhvillimin e aftësive të domosdoshme për arritjen e këtyre shërbimeve dhe trajnimet e vazhduara duke ngritur kualitetin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Duke marrë parasysh se ne veprojmë në një territor me madhësi 11.000 km2 dhe shkencat mjekësore sot nuk janë të izoluara, ne si prioritet e kemi bashkëpunimin me të gjitha institucionet e shëndetësisë publike në rajon, e veçmas Institutin e Shëndetësisë Publike në Tiranë, pastaj me institucionet relevante ndërkombëtare, me të cilat kemi një bashkëpunim të ngushtë, si CDC në Atlanta të SHBA-ve, OBSH-në në Gjenevë, UNICEF-in, Instituto Superiore di Sanita në Romë, Shkollën e Shëndetësisë Publike “Andrija Shtampar” në Zagreb, etj.



E ardhmja

Përforcimi i aftësive për të identifikuar nevojat shëndetësore, ofrimin e programeve për mbrojtje shëndetësore, mbrojtjen e ambientit, siguria e ushqimit, ujit dhe sanitacionit, zhvillimi i kompetencave në mbrojtjen e ambientit për të mbrojtur mirëqenien publike.

Kjo doktrinë është në përputhshmëri me praktikat gjerësisht të pranuara kudo në Evropë.

Vlera e integrimit të zhvillimit të sistemit të informimit shëndetësor, të ndërtuara mbi aftësitë e stafit tashmë të trajnuar në Institutin Kombëtar, për të siguruar një bazë të shëndoshë për zhvillimin e planifikimit dhe politikës shëndetësore e tërë kjo për të mbrojtur shëndetin e popullatës në Kosovë.


Last Updated (Monday, 23 March 2015 14:01)