alt



Sëmundja me virusin Zika

Virusi Zika është virus i cili bartet përmes mushkonjave dhe për herë të parë është identifikuar në Ugandë në vitin 1947 tek majmunët rhesus. Më pas është identifikuar tek njerëzit në vitin 1952 në Ugandë dhe Tanzani. Epidemitë me sëmundjen e virusit Zika janë regjisrtuar në Afrikë, Amerikë, Azi dhe në Paqësor.

Virusi i takon gjinisë Flavivirus, vektor janë mushkonjat Aedes dhe rezorvari nuk është i njohur.


Shenjat dhe simptomet e sëmundjes

Periudha e inkubacionit (prej ekspozimit deri te simptomet) për sëmundjen e virusit Zika nuk është e qartë, por ka të ngjarë të jetë disa ditë. Simpomet janë të ngjajshme me infeksionet tjera me arbovirusë si ethet denge dhe janë ethe, skuqje e lëkurës, konjuktivit (skuqje e syve), dhimbje e muskujve dhe e nyjeve, lodhje dhe kokëdhimbje. Këto simptome zakonisht janë të lehta dhe zgjasin 2-7 ditë.

Gjatë epidemive të mëdha që kanë ndodhur në Polinezinë franceze dhe në Brazil në vitin 2013 gjegjësisht vitin 2015, janë raportuar komplikime neurologjike dhe autoimune nga sëmundja me virusin Zika. Së fundi në Brazil, autoritetet shëndetësore vendore kanë vërejtë rritje të infeksioneve me sëmundjen e virusit Zika në popullatën e përgjithshme dhe poashtu rritje të numrit të foshnjave të lindura me mikrocefali, në pjesën veriperëndimore të Brazilit. Agjencitë të cilat bëjnë hulumtimin e epidemive me virusin Zika, kanë gjet prova për lidhshmërinë e virusit Zika dhe mikrocefalisë. Megjithatë duhet të vazhdohet me hulumtime të mëtutjeshme për të kuptuar lidhshmërinë në mes të mikrocefalisë tek foshnjat dhe virusit Zika, si dhe janë duke u hulumtuar edhe shkaktarët tjerë. 


Përhapja e sëmundjes

Virusi Zika përhapet tek njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara që i takojnë gjinisë Aedes, krysisht Aedes aegypti në vendet tropikale. Kjo është mushkonja e njëjtë e cila përhap ethet denge, chikungunya dhe ethet e verdha.

Sëmundja me virusin Zika nuk përhapet nga njeriu në njeri. Nëna e cila është e infektuar me virusin Zika, që është afër terminit të lindjes mund ta bart virusin tek i porsalinduri gjatë lindjes, mirëpo kjo është shumë e rrallë. Është e mundshme që virusi Zika mund të kalojë nga nëna tek fetusi gjatë shtatzënisë. Kjo mënyrë e përhapjes është duke u hulumtuar.

Deri më sot nuk është raportuar që foshnjet mund ta marrin virusin përmes gjidhënies. Ekziston mundësia e përhapjes përmes gjakut të infektuar dhe kontaktit seksual, është raportuar një rast i përhapjes së mundshme të virusit përmes transfuzionit të gjakut dhe një përmes kontaktit seksual.


Epidemiologjia e sëmundjes me virusin Zika

Epidemitë me sëmundjen e virusit Zika për herë të parë janë raportuar në Paqësor në vitin 2007 dhe 2013 (Yap dhe Polinezinë franceze) dhe në vitin 2015 në kontinentin e Amerikës (Brazil dhe Kolumbi) dhe në Afrikë (Cape Verde). Përveç kësaj, më shumë se 13 shtete në kontinentin e Amerikës kanë raportuar raste sporadike të infeksionit me virusin Zika që tregon për përhapje të shpejtë gjeografike të virusit Zika.

Edhe në Evropë janë regjistruar raste të sëmundjes me virusin Zika, mirëpo të gjitha rastet deri më tash kanë qenë të importuara, persona të cilët kanë udhëtuar në Amerikën Latine dhe në Karaibe. Rastet janë regjistruar në Danimarkë, Zvicër, Itali, Suedi, Spanjë dhe Rusi.


Diagnostikimi

Virusi Zika diagnostikohet përmes PCR (polymerase chain reaction) dhe izolimit të virusit nga mostrat e gjakut. Diagnostikimi përmes serologjisë mund të jetë i vështirë për shkak të reaksionit të kryqëzuar me flavivirusët tjerë si ai ethes denge, West Nile dhe etheve të verdha. 


Masat parandaluese

Mushkonjat dhe foletë e tyre janë faktori kryesor i rrezikut për infeksionin me virusin Zika. Masat parandaluese dhe kontrolli konsistojnë në zvogëlimin e popullatës së mushkonjave përmes zvogëlimit të burimit të tyre (largimi dhe modifikimi i foleve të tyre) dhe reduktimit të kontaktit në mes të mushkonjave dhe njërzve. 

Kjo mund të bëhet përmes përdorimit të repelentëve të insekteve, veshjes së rrobave (me ngjyrë të hapur/çelët) që mbulojnë sa më shumë pjesët e trupit, përmes përdorimit të barrieve fizike që janë mbyllja e dyerve, dritareve dhe fjetja në shtrat të mbuluar me rrjetë. Poashtu është e rëndësishme të bëhet zbrazja, pastrimi ose mbulimi i enëve që kanë ujë si p.sh. kovat, vazot e luleve, gomat, ashtu që të largohen vendet në të cilat mushkonjat mund të mblidhen.

Vëmendje e veçantë dhe ndihmë duhet t’iu kushtohet atyre të cilët nuk mund ta mbrojnë veten në mënyrë të duhur, që janë fëmijët, të sëmurët dhe të moshuarit.

Personat të cilët udhëtojnë në vendet ku ka infeksion me virusin Zika duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e cekura më lartë për të mbrojtur veten nga pickimi i mushkonjave.

Aktualisht nuk ka vaksinë dhe barëra për parandalimin dhe trajtimin e infeksionit me virusin Zika.

Gratë shtatzëna në cilindo do periudhë të shtatëzënisë duhet të shmangin udhëtimin në vendet ku ka raste të infeksionit me virusin Zika, ose duhet të mbrohen nga pickimi i mushkonjave qoftë përmes repelentëve kundër insekteve ose veshjes së rrobave me mëngë të gjata dhe pantolllona për të mbuluar sa më shumë pjesët e trupit.

Mënyra më e mirë e parandalimit është mbrojtja nga pickimi i mushkonjave.

Last Updated (Friday, 29 January 2016 11:13)