Listerioza është sëmundje bakterore që kryesisht manifestohet me meningoencefalit dhe / apo septikemi tek të porsalindurit dhe të rriturit sidomos ata me sistem imunitar të dobësuar. Tek shtatëzanat, sëmundja manifestohet me temperaturë, abort spontan, vdekje të frytit apo edhe lindje të parakohshme.

Sëmundja kryesisht lajmërohet në formë sporadike, por janë të njohura rastet e shpërthimeve të epidemive të vogla. Sa i përket përhapjes gjeografike, sëmundja është e pranishme tërë botën.

Shkaktari i sëmundjes: sëmundja shkaktohet nga bacili gram negativ, Listeria monocytogenes. Nuk formon as spore e as kapsulë. Në bazë të antigjenit somatik O dhe atij flagjelar H, njihen 11 serotipe të shkaktarit të sëmundjes.

Periudha e inkubacionit: është mjaft variabile dhe sillet prej 4 ditëve deri në 3 javë. Gjatë epidemive, periudha e inkubacionit mund të sillet prej 3 deri në 70 ditë. Fetusi infektohet pak ditë pas shfaqjes së sëmundjes tek nëna (periudha e inkubacionit shumë e shkurtër).

Pasqyra klinike: sëmundja karakterizohet me ethe, temperaturë dhembje muskujsh si dhe vjellje e diarre. Nëse preket sistemi nervor, sëmundja karakterizohet me paraqitje të shenjave të meningjitit akut që mund të shoqërohet me sepsë. Paraqitja e shenjave të sepsës pa shenja të meningjitit është e rrallë. Fillimi i meningjitit është zakonisht i papritur me ethe, dhembje koke, nauza, të vjella dhe shenja të meningjitit. Deliriumi dhe koma lajmërohen shpejt me shenja kolapsi dhe shoku. Si komplikacione të sëmundjes lajmërohen: abortet (tek shtatëzanat), endokarditet, abceset e lokalizuara në vende të ndryshme, lezione pustuloze ose papuloze të lëkurës.

Listerioza septikemike (pa meningjit) është sëmundje febrile beninje akute që shoqërohet me shenja të njejta të sëmundjes sikur të gripit, por tek shtatëzanat shkakton infektim të fetusit që i paraprinë: abortit spontan, vdekjes së frytit dhe lindje të parakohshme. Shkalla e vdekshmërisë është rreth 40% për të porsalindurit, 70% për prematurët dhe 50% për të rriturit.

Periudha e infektueshmërisë: sëmundja shumë rrallë kalon nga njeriu në njeri përveç të rasteve nga nëna në fryt. Gratë që lindin fëmijë të infektuar eliminojnë shkaktarin e sëmundjes me sekrecionet e tyre vaginale dhe me urinë deri në 1 javë pas lindjes.

Diagnoza: vërtetohet përmes kultivimit të shkaktarit të sëmundjes nga lëngu truno-shpinor, gjaku dhe lezionet në lëkurë.

Rezervoar të shkaktarit të sëmundjes: janë shpezët, kafshët shtëpiake dhe të egra, por nuk kanë shenja të sëmundjes. Shkaktari i sëmundjes shumë shpesh mund të gjendet edhe në tokë dhe ujë.

Burim i infeksionit: mbetet i papërcaktuar vetëm në rastet e bartjes së infeksionit nga nëna në fryt. Fryti para lindjes infektohet në mitër, kurse gjatë aktit të lindjes nga sekrecionet vagjinale. Pas javës së tretë të lindjes, konsiderohet se infeksioni është marrë nga jashtë.

Rrugë e përhapjes së infeksionit: infeksioni përhapet përmes konsumit të ushqimit të kontaminuar, kryesisht produkte të kafshëve të cilat janë bartëse të shkaktarit të sëmundjes (mishi i pazier dhe qumështi jo i pasterizuar). Në këto raste, mishi i ushqimit të shpejtë (burgerë, hot dog) janë bartës të shpeshtë të infeksionit, por nuk duhet lënë anash edhe peshkun. Rruga transplancetare është nga nëna në fryt.

Ndjeshmëria: sëmundja më së shpeshti i prek:

  1. Frytin (fetusin) dhe të porsalindurin dhe atë deri në 3 javë paslindjes,
  2. Personat e shtyrë në moshë,
  3. Personat me sistem imunitar të dobësuar.

Imuniteti: pas kalimit të sëmundjes nuk mbetet imunitet edhe atëherë kur pacienti ka pasqyrë të rënd klinike.

Sezona: sëmundja nuk është e lidhur për sezonë dhe mund të lajmërohet gjatë gjithë vitit.

Masat parandaluese:

  • Zierja e mishit dhe qumështit,
  • Përgatitja e ushqimit në kushte të larta higjienike,
  • Kujdes të veçantë gjatë përgatitjes së ushqimit të fëmijëve dhe pleqve,
  • Qumështi i nënës është ushqimi i vetëm i preferuar për të porsalindur dhe kjo parandalon infeksionet me listeria monocytogenes,
  • Pastrimi i vazhdueshëm i duarve, sipërfaqeve të kuzhinës ku përpunohet ushqimi.

Last Updated (Thursday, 31 July 2014 09:38)