alt

Aksidentet fatale në komunikacion dhe masat e parandalimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik e sidomos muajin e fundit. Instituti Kombëtar shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen dhjetëra persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në tre mujorin e parë të vitit 2014, në Kosovë janë shënuar 27 vdekje, si pasojë e 25 aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Vetëm gjatë ditës së enjte te javes së kaluar, në Kosovë kanë ndodhur saktësisht 108 aksidente trafiku, me të cilat është marrë policia, ndërsa prej tyre, 27 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 81 me dëme material.

Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike. Sipas Policisë së Kosovës, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshme, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës

Qyetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.

Vërehet mungesë të edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve. Infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.

Në muajin korrik, gjendja në trafikun e Kosovës ka qenë shumë më e keqe se në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të kenë kujdes, pasi që në rrugë ka shtim të numrit të automjeteve

REKOMANDIME

  • Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
  • Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
  • Angazhimi i mas medieve në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
  • Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo - arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
  • Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve
  • Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese.
  • Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi.
  • Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
  • Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

Last Updated (Monday, 04 August 2014 10:21)